Pajisja me pasaporta biometrike është një nga kushtet më të rëndësishme për liberalizimin e vizave. Kështu ka deklaruar sot për mediat ambasadori gjerman ne Tiranë Berndt Borchardt, pas nënshkrimit të një marrëveshje me ministrinë e Arsimit, ku theksoi se nga vendet e Bashkimit Europian vijnë sinjale pozitive në procesin e njohjes së këtyre pasaportave.

Berndt Borchardt: “Pasaporta të sigurta janë tepër të rëndësishme për liberalizimin e vizave. Pasaportat duhet të njihen nga vendet Shengen dhe ato janë në një proces të tille. Vendet e Bashkimit Europain kanë rënë dakord për një viza road map, e cila është një hartë që tregon sesi duhet të procedohet për liberalizimin e vizave. Nëse të gjitha kushtet përmbushen ato verifikohen nga komision i BE-së dhe nëse ai i vlerëson si pozitive atëherë ja propozon shteteve anëtare të cilat me jo në mënyrë unanime, por me shumicë vendosin për liberalizimin e vizave.”

I pyetur për çështjen e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, zoti Borchardt u shpreh qartazi se kjo është një e drejtë sovrane e qeverisë.

Berndt Borchardt: “Kërkesa për anëtarësimin në BE është një e drejtë sovrane dhe e pavarur e qeverisë shqiptare.”

Por në këtë kontekst, diplomati gjerman bëri sugjerime të mëtejshme për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke iu referuar këtu momenteve që po kalon Bashkimi Europian me krizën ekonomike apo me detyrimet e Traktatit të Lizbonës.

Berndt Borchardt : “Por në lidhje me këtë Gjermania sugjeron hapa të mëtejshëm dhe ky është qëndrimi i qeverise gjermane për të gjitha vendet e Ballkanit.

Vendet e BE-së duhet të bëjnë detyrat e tyre. Pra të përmbushin detyrimet që kanë nga traktati i Lisbonës dhe është shumë e vështirë t’u shpjegosh qytetarëve të BE-së që në një të ardhme do të ketë zgjerim me vende të reja, pasi ne jemi në mes të një krize ekonomike.”

Komentet e zotit Borchardt u bënë pas nënshkrimit të marrëveshjes për futjen e gjuhës gjermane në disa shkolla të mesme të kryeqytetit./tvklan.al