Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ambasadori i ri i zyrës së ODHIR Christian Strohal, raportin mes kodit të ri zgjedhor dhe rekomandimeve që OSBE-ODHIR dhanë pas zgjedhjeve të vitit 2001, pas takimit me kreun e KQZ Ilirjan Celibashi, e sheh të rëndësishëm pikërisht për mënyrën se si bashkëpunuan forcat politike, për të realizuar atë. Sipas shefit të ri të zyrës së të drejtave të njeriut, e rëndësishme në këtë moment është pikërisht zbatimi i këtij kodi.

Christian Strohal:- “Më e rëndësishme në këtë rast do të thoja, se është procesi në të cilin është ndërtuar kodi. Lidhur me kodin, ne kemi pasur një numër komentesh, shumë prej të cilëve janë marrë në konsideratë, por për më tej do të kem takim dhe me kryetarin e komisionit bipartizan, si dhe krerët e partive politike”.

Ndërsa kreu i KQZ Ilirjan Celibashi, ka sqaruar për mediat se takimi me Strohal në prag të zgjedhjeve lokale të Tetorit, shërben pikërisht edhe për koordinimin e punëve mes dy institucioneve. Sipas Celibashit, qëllimi është të arrihen zgjedhje të pakontestueshme. Ndërsa bashkëkryetarët e komisionit dypalësh, socialisti Et’hem Ruka dhe demokrati Jemin Gjana, të cilët drejtuan punën për ndryshimet e kodit zgjedhor, pas takimit me ambasadorin e ri të ODHIR-it Christian Strohal, për TV Klan vlerësuan:

Et’hem Ruka:- “Të gjitha vërejtjet e OSBE-ODHIR-it janë përfshirë në kodin e ri elektoral, kështu që kjo detyrë për Shqipërinë, tashmë konsiderohet e plotësuar”.

Jemin Gjana:- “Shprehu vlerësimet më pozitive të ODHIR-it dhe deklaroi se, ai është një kod që është në përputhje me standardet”.

Në agjendën e sotme të shefit të ri të seksionit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut pranë OSBE-së, ishte dhe takimi me kryeministrin Fatos Nano, në të cilin mendohet të jenë diskutuar shmangia e një sërë problemeve që mund të dalin gjatë procesit të zgjedhjeve./tvklan.al