Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Mentor Nazarko:- “Nëse do t’i referoheshim cilësisë së saj nisur nga drejtuesi, nga titullari i ekzekutivit, zoti Nano, atëherë mund të themi me një fjali të vetme, që nga një kryeministër i dobët, nuk mund të presësh një qeveri të fortë. Nëse do i referohesh përbërjes së kësaj qeverie, do më duhet të thosha, 2-3 karakteristika, siç është ajo që kjo është një qeveri e roleve të papërshtatshme, për sa kohë që kemi një zv/kryeministër pa dikaster, pa eksperiencë ekzekutive dhe që është një lloj shpërblimi për angazhimin e tij në favor të fitores së zotit Nano. Kemi disa ministra të tjerë që janë vendosur në role të panatyrshëm për ta, siç është ai i Ministrit të Kulturës, apo dhe ndonjë ministri tjetër. Rritja e kundërshtive, pakënaqësitë e krijuara që në momentin e krijimit të kësaj qeverie, apo dhe elementë të tjerë që bëjnë të vështirë të mendosh që të mendosh që kjo qeveri do të jetë jetëgjatë”.

Mero Baze:- “Nga pikëpamja politike, formimi i qeverisë është vazhdimi i përpjekjeve dhe i sfidës së Fatos Nanos për të kontrolluar PS dhe për të çuar deri në fund sfidën e tij personale për një qeveri personale brenda PS. Është e pazakontë që në mes të mandatit politik një kryeministër dhe kryetar i PS, bën përpjekje të stërmundimshme për të krijuar një koalicion, thelbi i të cilit është nxjerrja si tepricë, e një grupi deputetësh brenda PS. Çështja e numrave në Shqipëri mund të arrihet të sigurohet edhe nëpërmjet mjeteve financiare dhe përmes mjeteve politike, në këtë aspekt është krejt e parëndësishme, nëse zoti Nano do t’i gjej aq pare sa të sigurojë 71 vota ose jo, ai nuk ka gjetur aq energji politike të mjaftueshme për të bërë një qeveri”./tvklan.al