Ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Anila Godo, dhe Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë, Bujar Osmani, kanë ndarë mes tyre gatishmërinë e dy vendeve për të bashkëpunuar dhe ndihmuar në mënyrë të ndërsjellët  njëri-tjetrin në projekte për shëndetin publik që do të rrisin vlerësimet për të dy vendet në rrugën e tyre drejt integrimit.

Ata ishin të pranishëm në Forumin Ballkanik për Shëndetësi që u mbajt në Maqedoni.

Anila Godo: “Sëmundjet infektive dhe kërcënimet mjedisore shpeshherë i kalojnë kufijtë e shteteve dhe imponojnë, kërkojnë me doemos një harmonizim, një koordinim të strategjive për t’iu bërë ballë këtyre problemeve. Ngjashmëritë në të dy vendet tona në proceset e transformimeve ekonomike dhe sociale dhe në reformimin e sistemit shëndetësor bëjnë që ne të kemi sfida të ngjashme për të përballuar. Nga ana tjetër procesi i integrimit evropian dhe modelet e financimit evropian për zhvillim dhe kërkim bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin tonë për të patur mundësi të marrim pjesë në projekte të përbashkëta regjionale që ofrohen nga komuniteti evropian”.

Bashkim Osmani: “Bashkëpunimi i vendeve të rajonit gjithashtu dhe kontribuon në një qasje më të mirëfilltë drejt zgjidhjes së problemit të shëndetit publik dhe për këtë arsye ne i krijojmë këto sisteme interoperabile që të jemi më funksionalë dhe më efektivë, dhe më efikas”.

Ministrat e Shëndetësisë të Shqipërisë dhe Maqedonisë në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy vendeve në shëndetësi nënshkruan edhe deklaratën për Shëndet Publik që ky forum të jetë një aktivitet i përvitshëm./tvklan.al