Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Shkalla e kompensimit të të përndjekurve bëhet sipas mundësive financiare të buxhetit të shtetit. Kështu deklaroi Ministri i Financave Arben Malaj pas pretendimeve të të përndjekurve, se plani qeveritar i kompensimit është shumë i ulët.

Arben Malaj: “Saktësia e shifrave i jep mundësisë qeverisë që të rrisë kostot dhe të shprehet se deri ku i përballon, pasi të gjithë parimet e skemave orientohen nga mundësitë, nuk orientohen nga kërkesat. Unë e thashë, si individë mbështesë çdo kërkesë, si ministër finance nuk mund të mbështesë apriori çdo kërkesë”. Deputeti demokrat Ridvan Bode, deklaroi se kompensimi i propozuar është zhgënjyes.

Ridvan Bode: “Në të vërtetë ajo që prezantohet nga ana e ministrit është një zhgënjim total dhe për ne nuk përbën ndonjë habi sepse e prisnim një qëndrim të tillë, ndaj një shtrese e cila nuk ka qenë pajtuar me sistemin komunist”.

Komisionet parlamentare sugjeruan që të gjendet një konsensus mes shtetit dhe shoqatave për shifrat e sakta të të përndjekurve politikë, në mënyrë që të bëhet përllogaritja me e saktë e kostos që duhet përballuar nga buxhetet e viteve të ardhshme./tvklan.al