Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka garantuar edhe një herë se Shqipëria nuk është e goditur nga kriza financiare botërore.

Në konferencën e organizuar në universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”, zoti Fullani tha se ekonomia shqiptare është në një pozicion më të mirë se ekonomitë e vendeve të rajonit.

Ardian Fullani: “Ndonëse origjina e saj globale është e njëjtë ndikimi i kësaj krize është i ndryshëm në vende të ndryshme. Fatmirësisht ekonomia shqiptare gjendet në një pozicion më komod për përballimin e saj krahasuar me shumë vende të tjera të rajonit apo vende bashkudhëtare në rrugën e tranzicionit. Ekuilibrat e konsoliduar makroekonomik të vendit na mundësojnë një ndikim më të reduktuar të krizës dhe një frymëmarrje më të madhe në trajtimin e saj”.

Duke u ndalur më tej në efektet e krizës guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri thirrje për një përdorim më efikas të fondeve nga konsumatorët dhe biznesi.

Nga ana tjetër ai foli për parashikimet e një ulje të ritmit të kreditimit edhe pse sistemi bankar paraqitet i shëndetshëm./tvklan.al