Ministri i Sportit, Ardian Turku, do të njohë shumë shpejt rezultatet e asamblesë së jashtëzakonshme të që disa federata organizuan dhe zgjodhën organet drejtuese të reja të Komitetit Olimpik.

Ministri Turku ka bërë një deklaratë pas takimit me rreth 20 federata sportive dhe ka lënë të kuptohet se shumë shpejt do t’u japë një përgjigje pozitive kërkesës së tyre, edhe pse kjo mund të penalizojë sportin shqiptar.

Ardian Turku: “Me stafin tim do të rikthehem dhe një herë për të parë çdo gjë në detaje dhe konstatoj që në një periudhë jashtëzakonisht të shkurtër të qenies sime si ministër për arsye të përfundimit të këtij mandati qeverisës më duhet të marr një vendim që ndoshta ministrave të tjerë në mandate të plota për dekada me radhë s’i është dashur ta marrin. Le ta mbaj unë përgjegjësinë për këtë pasi sigurisht që do të më duhet të mbaj një qëndrim. Nuk është një harresë apo le të themi zvarritje burokratike, por vjen nga fakti që është një vendim i dhimbshëm”.

Pak kohë më parë në një konferencë për shtyp, përfaqësues të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar deklaruan se nuk e njohin asamblenë e 20 Shkurtit pasi ajo ishte e paligjshme.

Ndryshimet e bëra mund të sillnin ndëshkim të sportit shqiptar me mospjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe