Super aksioni i policisë kundër piraterisë së kartave televizive. Për herë të parë një grup i madh falsifikatorësh rrezikojnë burgun. 16 mashtrues kompjuterësh të njohur ndryshe si hakers arrestohen në bashkëpunim me njëri-tjetrin pasi kanë klonuar dhe shitur qytetarëve karta të paketave të televizioneve që ofrojnë evenimente sportive.

Klodian Branko: “Në muajin nëntor të vitit 2008, policia e Tiranës ka marrë kallëzim se në disa pika të ndryshme në Tiranë, tregtohen aparate digjitale të riprogramuara dhe  të klonuara. Fillimisht u mundësua identifikimi i disa prej pikave që tregtohen këto aparate në kryeqytet dhe më pas në disa rrethe të vendit”.

Personat e implikuar në këtë aktivitet kriminal, pasi kryenin riprogramimin e aparateve dixhitale nëpërmjet sinjalit të internetit, bënin të mundur marrjen e të dhënave në lidhje me programet e kompanive të ndryshme televizive si Super sport të DigitAlbit, Skye, Nova si dhe mjaft programe sportive.

Klodian Branko: “Sajmir Kuniqi, 55-vjeç lindur dhe banues në Tiranë. Alfred Kadiu, 30-vjeç lindur dhe rritur në Peshkopi dhe banues në Tiranë. Eldi Vorbsi, 23-vjeç lindur dhe banues në Tiranë. Edison Shema, 32-vjeç lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë. Sokol Shalsa, 48-vjeç lindur dhe banues në Tiranë. Sokol Kadare, 38-vjeç lindur në Fier dhe banues në Tiranë. Spiro Zguri, 48-vjeç lindur dhe banues në Korçë. Dhimitraq Papa, 55-vjeç lindur dhe banues në Durrës. Sajmir Likollari, 31-vjeç lindur dhe banues në Berat. Marin Paluzhi, 36-vjeç lidnur dhe banues në Shkodër dhe Ilir Nushi, 32-vjeç lindur dhe banues në Fier. Ndërsa u ndaluan me urdhër të Prokurorisë Taks-Forcë të krimit ekonomik të shtetasit Xhaferr Gixhari, 23-vjeç lindur në Kavajë dhe banues në Tiranë. Artan Priftuli, 44-vjeç lindur dhe banues në Tiranë. Fatmir Çupi, 32-vjeç lindur dhe banues në Tiranë. Ilir Dylja, 38-vjeç lindur dhe banues në Durrës. Eduart Koka, 42-vjeç lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë”.

Duke përdorur aftësitë e tyre kompjuterike, këta shtetas kanë bërë të mundur dekodifikimin e sinjalit dhe shitjen në mënyrë pirate nga 200 deri në 350 euro programet e këtyre paketave dixhitale.

Klodian Branko: “Pas dokumentimit të veprimtarisë kriminale të çdo personi për veprën penal të mashtrimit kompjuterik e kryer në bashkëpunim, Gjykata e Tiranës me datën 16 prill 2009, ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg”.

Gjatë shoqërimit dhe kontrollit në banesat e këtyre shtetasve u sekuestruan në cilësinë e provave materiale 50 server kompjuterik, 20 laptop, 1000 copë aparate dixhitale të tipeve të ndryshme si dhe 500 karta plastike me çip për dekodifikimin e sinjalit.

Tashmë bashkëpunimi mes Drejtorisë së Krimit Ekonomik në policinë e Tiranës dhe njësisë së Taks-Forcës së Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Tiranës i kanë siguruar të gjitha provat e mjaftueshme për t’i vënë përpara përgjegjësisë penale 16 të arrestuarit. Mësojmë se operacioni “Modem” do të vazhdojë me të tjerë persona të implikuar në këtë rrjet fitimprurës. Policia ju bën me dije qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në blerjen e këtyre kartave./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani