Polica e shtetit ka parandaluar 24 orët e fundit trafikimin jashtë Shqipërisë të një sasie të konsiderueshme lëndësh narkotike. 500 kilogram drogë e tipit marihuanë u kap ne mëngjes në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, pas operacionit të koduar “Darka Jashtë”.

Klodian Branko: “Është finalizuar me sukses operacioni i koduar “Darka Jashtë”, për arrestimin e shtetasve Beqir Avduli, 44-vjeç lindur dhe banues në Lazarat dhe Hasan Avdyli, 27-vjeç lindur dhe banues në Lazarat. Një pjesë e lëndës narkotike është sekuestrua në furgonin me targa Gjirokastër 7320 A, e bërë gati për t’u trafikuar dhe pjesa tjetër është sekuestruar në magazinën e shtetasit Beqir Avduli. Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike ka qenë e destinuar për trafik jashtë territorit shqiptarë”.

Një ditë më parë policia e kryeqytetit arrestoi në flagrancë shtetasin Eduard Çela, 39-vjeç lindur e banues në Krujë, pasi gjeti në automjetin e tij 2.5 kg lëndë narkotike të dyshuar si kokainë. Sasia e drogës ishte e ndarë dhe ambalazhuar në 5 pako. Ndalimi dhe kontrolli i tij u bë, pasi ky mjet shmangu ndalimin nga shërbimet e policisë së qarkullimit rrugor Lezhë. Në cilësinë e provës material 39-vjeçarit iu sekuestruan edhe 3 aparate celulare dhe automjeti me të cilin po transportonte lëndën narkotike./tvklan.al

Gazetar: Njazi Sako

Montazh: Ergis Hasanbelli