Lajme Arkiva 2003

Dy persona të arrestuar në flagrancë me 5 kilogram heroinë në automjetin e tyre sot të qëndrojnë në burg pa afat. Masa e vendosur nga Gjykata e Tiranës u kërkua edhe nga akuza, e cila pretendon se M.Z. dhe F.B. janë pjesë  e një rrjeti trafikimi që vjen nga Turqia dhe përfundon nëpërmjet Shqipërisë si vend transit nëpër perëndim.

Akuza është pranuar vetëm nga i pandehuri M.Z., ndërsa F.B. është shprehur se nuk kishte dijeni se në makinë kishte drogë. Automjeti i tyre u kap nga policia dy ditë më parë pranë vendit të quajtur Xhamlliku në Tiranë. Po atë natë, disa orë më vonë në duart e policisë ra një tjetër sasi e cila dyshohet të jetë drogë.

Aksidenti i ndodhur pranë lagjes kombinat zbuloi se në automjetin luksoz tip Benz elegancë ku udhëtonin A.Ç. dhe B.A. ndodhej lënda narkotike. Të dy këta persona janë të shtruar në pavijonin e reanimacionit në spitalin ushtarak.

Çela ndodhet ende në gjendje kritike edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale, ai ka marrë disa plagë në kraharor, bark dhe këmbë, ndërsa gruaja ka fraktura në nofull dhe në kokë. Policia e ka pasur të pamundur të marrë shpjegime nga dy të plagosurit që udhëtonin me makinën ku dyshohej se transportohej lëndë narkotike./tvklan.al