Lajme Arkiva 2004

Një ballo e madhe bamirësie ka mbledhur së bashku në ambientet e Hotel Sheraton, artistë, biznesmenë, politikanë si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Ballo është organizuar nga bordi i miqve të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe ka patur si qëllim grumbullimin e fondeve për fillimin e rikonstruksioneve të kësaj galerie.

Jo është kuruar me kujdes nga drejtorja e këtij bordi zonja Pamela Grifin dhe zonja Xhefri (Jeffrey) si dhe nga anëtare të tjera të bordit.

“Jam shumë e lumtur që ju jeni këtu sot”, ka thënë në fjalën e saj zonja Pamela Grifin në çeljen e kësaj mbrëmje. “Është  një nder për  mua që ju kam sot këtu dhe të gjithë së bashku të japim një dorë për ngritjen e artit pamor në Shqipëri”.

Pastaj fjalë e kanë marrë për të përshëndetur të pranishmit edhe ambasadori amerikan Xhejms Xhefri (James Jeffrey) drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Abaz Hado si dhe i ftuari special i kësaj mbrëmje, piktor i njohur amerikan Riçard Harden.

Harden është ftuar në Tiranë edhe më parë me ndërmjetësinë e Ambasadës Amerikane dhe në këtë ballo ai ka sjellë një nga  pikturat më të bukura të tij, e cila është blerë nga donatorët për tu bërë më pas pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve.

Piktura e merr temën nga lufta në Kosovë ku Harden ka jetuar për disa kohë dhe paraqet një ndërthurje mes bukurisë dhe kaosit.

Të gjithë personalitetet që kanë qenë prezentë në këtë ballo kanë ndihmuar në mënyrë modeste për ngritjen e këtij fondi, i cili do të shërbejë më pas për ta bërë Galerinë Kombëtare të Arteve një tempull të Teatrit Kombëtar dhe atij botëror./tvklan.al