Klinikat stomatologjike në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë nga ana e Autoritetit Shëndetësor Rajonal. Drejtori i këtij instituti Mhill Gecaj, deklaron se inspektimi do të nisë brenda muajit qershor për të parë standardet e klinikave si dhe evidentimin e atyre klinikave dentare pa licencë, të cilat do të mbyllen pa asnjë mëdyshje.

Mhill Gecaj: “Të gjitha ato klinikat të cilat nuk janë të licencuara, ato automatikisht që do të mbyllen dhe të gjitha ato klinika të cilat janë të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë, por nuk plotësojnë standardet për këtë shërbim shëndetësor, duke pas parasysh që kemi të bëjmë me një problem i cili nesër, pasnesër mund të rrezikohen me sëmundje infektive nga më të ndryshmet. Do të ketë një kontroll rigoroz, grupi i punës është ngritë nga ana e jonë për këtë punë dhe do të fillojë punën menjëherë”.

Sipas një kontrolli të ushtruar nga Ministria e Shëndetësisë pak kohë më parë, ka rezultuar se vetëm në kryeqytet operojnë rreth 300 klinika dentare të pa licencuara. Ndërkaq ASHR në aksionin e tij ka përfshirë edhe strukturat e pushtetit vendorë, të cilat do të ndihmojnë  në sinjalizimin për vendndodhjen e klinikave të pa licencuara në rrethet e tyre./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami

Operator: Petrit Xhaferri