Vetëm pak muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare mazhoranca e djathtë angazhohet se ato do të jenë prioriteti i saj gjatë këtij sesioni të ri parlamentar.

Por pavarësisht angazhimit maksimal për të zhvilluar zgjedhje brenda standardeve viti elektoral sipas kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, nuk do të mund të zbehë vëmendjen e mazhorancës qeverisëse ndaj nismave të rëndësishme parlamentare, të cilat janë dhe kusht për integrimin e vendit.

Astrit Patozi: “Parlamenti gjithsesi ka mundësi që të avancojë më tej me reformat e ndërmarra sidomos në reformën e drejtësisë. Është një nevojë që ka kuadri ligjor i vendit, por edhe përsosja dhe përmirësimi i institucioneve për të avancuar, një sfidë që do t’i bënte nder parlamentit do të ishte dhe përfundimi i nismës për kufizimin e imunitetit. Unë besoj që parlamenti ka kohën dhe mundësinë për ta çuar deri në fund këtë nismë, e cila do të fillojë me kufizimin e imunitetit të deputetëve, por do të vazhdojë dhe me imunitarët e tjerë”.

Patozi pohon se në kalendarin tre javor  të sesionit të ri parlamentar që do të fillojë më 19 Janar do të përfshijë edhe rikompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Që pas ndryshimeve që iu bënë kushtetutës në 21 Prill u shkri si institucion kushtetues, megjithatë ai nuk jep detaje nëse demokratët i kanë gati propozimet për dy anëtarët që i takojnë si dhe kryetarin, i cili zgjidhet po ashtu me propozim të mazhorancës.

I rezervuar Patozi është treguar edhe në lidhje me strategjitë që selia blu po përgatit për të dalë në zgjedhjet parlamentare të 2009-tës, ku pretendon të fitojë një mandat të dytë qeverisës.

Astrit Patozi: “Ne jemi në një fazë të ripërtëritjes të strukturave tona. Jemi në një fazë zgjedhore brenda Partisë Demokratike dhe besoj që përfundimi i kësaj fushate brenda llojit do të sjellë edhe risitë që ju prisni. Do të sjellë pra freskimin dhe struktura më efikase dhe më energjike për të fituar zgjedhjet”.

Katër vjet më parë demokratët erdhën në pushtet dhe falë strategjisë së përgatitur nga Komiteti i Orientimit të Politikave, i njohur ndryshe si KOP, një risi kjo në historinë e shkurtër të fushatave zgjedhore demokratike në vendin tonë./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka