Një atentat me armë zjarri ka ndodhur sot në Tiranë rreth orës 19:30. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në zonën e ‘Astirit’.

Makina ku udhëtonin 2 viktimat

Policia njofton zyrtarisht se viktimat janë Erigers Mihasi, 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Armand Dumani 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Dy viktimat po udhëtonin me një mjet tip “Audi” të bardhë me targë AB008EM.

Mjeti ku po udhëtonin viktimat, po lëvizte nga ‘Pallati me shigjeta’ për tek ish-dogana, kur në zonën e Astirit një automjet tip Toyota, e ka ndjekur, më pas i ka dal paralel dhe aty kanë qëlluar me breshëri automatiku. “Audi” ka lëvizur dhe për disa metra dhe më pas është përplasur me një shtyllë të ndriçimit publik.

Policia e cila mbërriti pak minuta pas ngjarjes, konfirmoi vdekjen e dy personave që ishin brenda “Audit”. Fillimisht u identifikuar Mihasi, i cili ishte tek ulësja e shoferit dhe më pas u identifikuar dhe pasagjeri, Armand Dumani.

Makina e autorëve tip “Toyota” rreth orës 20:45, u raportura se po digjej në Thumanë. Paraprakisht dyshohet se kanë tre persona që kanë marrë pjesë në atentat. Në automjetin e autorëve me targa të vjedhura janë gjetur 2 armë.

Grupi hetimor ka sekuestruar dy kamera sigurie të cilat kanë filmuar të gjithë dinamikën e atentatit.

32-vjeçari Erigers Mihasi ishte një personazh i njohur për policinë, i proceduar dhe hetuar disa herë për ngjarje të rënda kriminale. Ai dyshohet se ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me veprimtrari krime kundër jetës, grabitje, gjobëbënie dhe kultivim narkotikësh.

Erigers Mihasi është arrestuar në vitin 2019, pasi dyshohet se ka qenë një prej autorëve të grabitjes me armë të banesës së prindërve të Elton Çiços në Tepelenë. Por ai fitoi pafajësinë për këtë krim dhe u lirua disa muaj më pas. Po ashtu, emri i tij del edhe në sulmin me armë ndaj kompleksit “Eiffel”, ku Mihasi u raportua si një nga bashkëpunëtorët e sulmit.

Gjithashtu ai dyshohet edhe si personi kryesor që ka qëlluar me armë zjarri ndaj kushërinjve Mumajesi në Tiranë. Mihasi dyshohet se ka marrë pjesë në një ngjarje tjetër kriminale në vitin 2017 në Laç, ku ka mbetur i plagosur Rudolf Toma, punonjës në bashkinë e Kurbinit. Ai njihej si mik i ngushtë me Santiago Malkon, ish-policin që u vra më 27 Gusht të vitit 2019.

Ndërkohë 26-vjeçari Armand Dumani njihet nga Policia e Tiranës si person me lidhje me shtetas me precedentë dhe i dyshuar për armëmbajtje pa leje.

Ora 19:45Video | Pamje nga vendi i ngjarjes ku u vranë dy persona në Tiranë

Burime nga vendi i ngjarjes bëhet me dije se janë vrarë dy persona, por ende ky informacion nuk është zyrtar.

Pamje që shihni janë nga vendi i ngjarjes. Deri tani mësohet se një mjet është qëlluar me breshëri në afërsi të sheshit “Shqiponja”.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie dhe po punojnë për zbardhjen e ngjarjes.

Ora 20:03Policia: Janë vrarë dy persona, po udhëtonin me ‘Audi’

Njoftimi zyrtar i Policisë së Tiranës: Rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “2 rrathët” në Unazë të Re, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjeti tip “Audi”. Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ishin brenda në mjet.

Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe grumbullimin e çdo prove që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Ora 20:18 Emrat | Kush janë dy viktimat e atentatit në Tiranë

Zyrtarisht mësohen emrat e dy viktimave që mbetën të vrarë mbrëmjen e sotme pas një atentati me armë zjarri.

Viktimat janë Erigers Mihasi, 32 vjeç dhe Armand Dumani 26 vjeç. Mihasi ka qenë në drejtim të mjetit, ndërsa Dumani ka qenë pasagjer.

Ora 20:45 – Atentati me dy viktima në Tiranë, gjendet një makinë e djegur në Thumanë

Një makinë e djegur është gjetur pak minuta më parë në Thumanë. Dyshohet se makina është përdorur nga autorët për kryerjen e atentatit në Tiranë.

Sipas informacioneve mësohet se mjeti i djegur është tip Toyota me targa AA532ON, targa të cilat rezultojnë të vjedhura në Tiranë. Nuk dihet ende si cili është pronari i këtij mjeti, pasi rezulton se është i vjedhur.

Ora 20:52 – Foto | Ky 32-vjeçari që u vra sot në Tiranë

Personi që shihni në foto është Erigers Mihasi, 32-vjeçari i cili u vra sot në Tiranë. Mësohet se Mihasi ka qenë duke drejtuar mjetin tip “Audi” në zonën e Astirit në Tiranë dhe është qëlluar me breshëri.

Mihasi bashkë me një person tjetër që ndodhej në mjet, Armand Dumani, kanë ndërruar jetë në vend.

Ora 21:37Atentati me 2 viktima, Policia e Tiranës jep detaje shtesë

Informacion shtesë nga Policia Tiranë: Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur te “2 rrathët” në Unazë të Re, ju bëjmë me dije se: Grupi hetimor ka bërë identifikimin e dy personave që kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri:

Drejtuesi i mjetit shtetasi E. M., 32 vjeç dhe pasagjeri shtetasi A. D., 26 vjeç. Ndërkohë në Thumanë është gjetur një automjeti tip “Toyota” duke u djegur dhe dyshohet se është automjeti që kanë përdorur autorët e ngjarjes. Targat e mjetit të djegur rezultojnë të vjedhura në Tiranë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e ngjarjes si dhe grumbullimin e provave që çojnë në identifikimin e autorëve të ngjarjes.

Ora 21:48Atentati në Tiranë, kamerat e sigurisë kanë filmuar gjithçka

Detaje të reja janë mësuar lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në mbrëmje në Tiranë, ku humbën jetën dy persona.

Burime për Tvklan.al bëjnë me dije se kamerat e sigurisë kanë filmuar të gjithë atentatit. Edhe pse zona ku ndodhi ngjarja është në zhvillim e sipër, kamerat e bizneseve aty pranë kanë arritur që të filmojnë atentatin.

Do të jenë pamjet e marra nga kamerat që mund të ndihmojnë hetuesit për të zbardhur ngjarjen e rëndë ku humbën jetën Erigers Mihasi dhe Armand Dumani.

Ora 23:00Erigers Mihasi kishte personalizuar targat për “Audin” luksoz

Erigers Mihasi 32-vjeçari që mbeti i vrarë, bashkë me mikun e tij Armand Dumani, ishte duke lëvizur me një mjet tip “Audi” ku ra pre e breshërive të armëve.

Mihasi në momentin e atentatit ishte duke drejtuar mjetin “Audi” luksoz me targa të personalizuara. Targat e mjetit të tij janë AB008EM, ku dy gërmat e fundit simbolizojnë inicialet e tij.

Ndoshta kanë qenë targat ato që kanë ndihmuar autorët për të ndjekur Mihasin dhe për ta ekzekutuar./tvklan.al