Donald Trump sapo kishte nisur fjalimin e tij, në një tubim në qytetin Batlër të Pensilvanisë, kur është qëlluar me snajper pas veshit të djathtë. Ai çoi direkt dorën tek veshi për të kuptuar çfarë kishte ndodhur dhe më pas u ul direkt në tokë.

Këto janë edhe momentet, kur ekipi i sigurisë vrapon drejt tij, për ta mbuluar dhe mbrojtur. Në më pak se një minutë ai çohet dhe hipën në një makinë të zezë, ndërsa fytyra ishte gjakosur dhe kapelja e tij e kuqe, mbi të cilën shkruhet “Make America Great Again” i kishte rënë dhe dëgjohej duke thënë “prit, prit”.

Para se të largohej përfundimisht nga vendi ku njerëzit ishin në panik, Trump ngriti grushtin drejt turmës duke thënë fjalët “Luftoni! Luftoni! Luftoni!” teksa turma e njerëzve bërtisnin “SHBA, SHBA, SHBA”.

Menjëherë më pas autori u vra nga policia dhe shërbimet e sigurisë. FBI, që ka marrë në dorë hetimet për ngjarjen të cilën e cilëson një tentativë vrasje ka identifikuar një 20-vjeçar të quajtur Thomas Matthew Crooks nga i njëjti qytet ku mbahej mitingu. Por ende nuk është bërë i ditur motivi përse ai e qëlloi Donald Trump.

Shërbimi sekret tha se një pjesëmarrës në tubim u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Nuk munguan as momentet e panikut. Dëshmitarët thanë se që në fillim kishin parë një njeri të armatosur dhe se i kishin njoftuar shërbimet sekrete.

“Ne pamë një djalë që po zvarritej mbi çatinë e një ndërtese dhe ai mbante një pushkë. Ne po i thonim policisë, se atje është një person me pushkë. Ato nuk e kishin idenë se çfarë po ndodhte, mendoj se 100% të shtënat erdhën nga atje”, tha një qytetar.

“Unë përpoqa të ndihmoja një person të plagosur të plagosur në kokë”, shtoi një tjetër.

Sakaq FBI që ka marrë përsipër hetimin ngre dyshimet se si ka mundësi që Kruks qëlloi me disa të shtëna, duke i drejtuar gishtin edhe Shërbimit Sekret për masat e sigurisë.

Stafi i Donald Trump njoftoi se ish-presidenti është në gjendje të mirë shëndetësore dhe u kthye në shtëpinë e tij. Në një reagim në rrjetet e tij sociale Trump falenderoi Shërbimin Sekret dhe forcat e zbatimit të ligjit për punën e tyre.

Ku nuk ishte reagimi i tij i vetëm pasi pak më vonë Trump falenderoi mbështetësit e tij për “mendimet dhe lutjet” e tyre.

“Ishte vetë Zoti që parandaloi të ndodhte e paimagjinueshmja. Ne nuk do të kemi frikë, por përkundrazi do të mbetemi besnik në besimin tonë përballë ligësisë,” shkroi ish-presidenti në një postim në Truth Social.

Trump ka bërë të ditur se do të vijojë aktivitetin e tij politik, duke shtuar se mezi pret që të flasë para kombit nga Uiskonsi. Ngjarja u shfrytëzua nga Rusia, e cila beson se administrata amerikane nuk ishte përgjegjëse për atentatin ndaj kandidatit për president të SHBA-së, Donald Trump, por se ajo kishte krijuar një atmosferë që provokoi të shtënat.

Ky atentat vjen dy ditë përpara mbajtjes së konventës së Republikanëve ku Trump do të marrë zyrtarisht emërimin si kandidat për president. Ky atentat vjen një klimë polarizuese dhe vetëm 4 muaj larg zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Klan News