Me një fytyrë të ngrysur, aspak si ajo e 22 Shkurtit 2022 kur filloi pushtimin e Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin mblodhi me urgjencë Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Moskë pasi ushtria ukrainase filloi një operacion në rajonin kufitar Kursk.

Objektivat ukrainase për këtë operacion mbeten të paqarta dhe deri më tani raportohet për kapjen rob lufte të rreth 40 ushtarëve rusë dhe një pike shpërndarëse të gazit që vjen në Europë.

Pamjet e turpshme të dorëzimit të ushtarëve rusë brenda vendit të tyre u shpërndanë me shpejtësi në mediat sociale. Putini akuzoi Ukrainën se ka nisur “një tjetër provokim të madh”.

“Regjimi i Kievit ka ndërmarrë një tjetër provokim në shkallë të gjerë, po kryen granatime pa dallim me lloje të ndryshme armatimi, përfshirë raketa, ndaj ndërtesave civile, banesave dhe spitaleve.”

Moska pretendon se trupat ukrainase, të mbështetura nga 11 tanke dhe mbi 20 automjete të blinduara luftarake, kaluan kufirin pranë qytetit Sudzha, 10 km nga vija e frontit.

Rusia u detyrua të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në rajonin Kursk, ndërsa mijëra banorë u detyruan të lënë shtëpitë. Kievi nuk i ka komentuar ende ngjarjet në Kursk.

Tv Klan