Pas më shumë se një viti në arrati, arrestohet në Dubai ish-anëtari i bandës së Durrësit, Julian Meçaj.

Ky i fundit ishte shpallur në kërkim prej 20 Nëntorit 2022 kur Prokuroria e Posaçme e vuri atë nën akuzë si një nga personat që organizuan atentatin ndaj ish-prokurorit, Arjan Ndoja.

48-vjeçari Meçaj mësohet se është arrestuar nga policia më 17 Janar të këtij viti falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabi dhe ndaj tij ka nisur procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë.

Ky operacion duket tejet i vështirë për shkak se vendi ynë nuk ka marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Nën hetim për atentatin e 1 Nëntorit 2019, janë edhe 9 persona të tjerë, disa të arrestuar dhe disa në kërkim, mes tyre edhe Plaurent Dervishaj, i cili konsiderohet nga Prokuroria si financuesi dhe porositësi i ngjarjes së rëndë.

Kjo e fundit u zbardh pak muaj më parë pas administrimit të një sërë komunikimesh të enkriptuara, të zbardhura nga autoritetet franceze ku u zbuluan bisedat edhe të anëtarëve të tjerë të grupit për planin e atentatit të 1 Nëntorit, por edhe ngjarje të tjera. 

Po ashtu për këtë ngjarje janë dënuar dhe Arjol Halilaj me 35 vite dhe me burg përjetë, Redjan Rraja.

Për këtë të fundit krahas dënimit me burg përjetë, GJKKO vendosi këtë të enjte konfiskimin e 9 pasurive që dyshohet se kanë burim veprimtarinë kriminale.

Në ngjarjen e regjistruar në Nëntor të 2019, ish-prokurori Ndoja dhe Aleksandër Laho u plagosën, ndërsa mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku.

Tv Klan