Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ministri i Rendit Igli Toska ka dhënë sot mjaft udhëzime për drejtues të policisë, se si duhet të parandalojnë krimin duke mbajtur një komunikim më të afërt me publikun. Por platforma e ministrit është hedhur poshtë nga Avokati i Popullit, i cili është shprehur sot në kundër shkarkimeve dhe deklarimit të inkriminuar të shefave të policisë.

Igli Toska: “Një revolucion kulturor në mënyrën e pritjes, trajtimit të ankesave dhe kallëzimeve të publikut në lokalet e policisë. Së gjashti, komunikim dhe dialog i hapur me institucionet të tilla të pavarura si Avokati i Popullit, por edhe me shoqërinë civile”.

Ermir Dobjani: “Humbja e besimit të publikut ndodh dhe kur publiku shikon dhe dëgjon, se figura të rëndësishme të policisë së shtetit, si drejtora apo shefa komisariatesh çdo ditë shkarkohen nga detyra, përjashtohen nga policia apo kallëzohen për ndjekje penale, në emër të luftës kundër korrupsionit, apo reforma brenda rendit. Edhe shkarkimet nga detyra të punonjësve të policisë pa mbushur disa muaj në vendin e punës nuk mund të ndikojnë në rritjen e besimit publik, sepse qytetari nuk ka besim të shkojë të kallëzojë tek një komisar apo shef policie, kur shikon se ai pas disa muajsh etiketohet si kriminel apo si i korruptuar. Krerët e policisë nuk kanë pse të revoltohen pastaj, kur punonjësit e policisë përdorin të drejtën e fjalës së lirë dhe të shprehen në media për punën e tyre dhe masat e marra. Ministria e Rendit Publik, nuk mund të mbajë në fuqi urdhrin që punonjësit e policisë të mos shprehen në media për të mbrojtur të drejtat e tyre. Edhe e drejta për t’u organizuar në sindikata për policët shqiptarë është një e drejtë e ligjshme e njohur nga Kushtetuta jonë”./tvvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj