Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Komiteti Grek i Helsinkit mund t’i kërkojë autoriteteve të drejtësisë të këtij shteti nisjen e hetimit ndaj shkollës “Agia Barbara” në Athinë dhe një tjetre në Selanik, nga ku rezultojnë të jenë zhdukur përgjatë 5 viteve, më shumë se 500 fëmijë shqiptarë.

Helsinki grek i ka kërkuar Avokatit të Popullit në Shqipëri fakte lidhur me këtë çështje, për të cilën avokati Ermir Dobjani iu drejtua homologut të tij në Greqi rreth një vit më parë. Vetëm pak kohë pasi Ombudsmani Grek pranoi se dy shkollat në fjalë kishin përgjegjësi për humbjen e të miturve nga Shqipëria, janë interesuar për të mbledhur prova disa organizma të huaja të të drejtave të njeriut.

“Ne këtë përgjigje ia kemi dërguar, pra Avokati i Popullit ua ka dërguar autoriteteve më të larta shqiptare dhe paralelisht me këtë, ne i jemi përgjigjur pozitivisht edhe kërkesës të Helsinkit Grek, e cila nga ana e saj do të interesohet pranë autoriteteve greke, deri dhe për hapjen e një çështje penale, pikërisht për dështimin e këtij projekti. Natyrisht që është sensibilizuar dhe Amnesty International, pra pritet që ky sensibilizim ndërkombëtar të bëjë efektin e duhur ndaj autoriteteve greke”.

Alarmi për të miturit shqiptar të zhdukur nga shkollat greke është dhënë pak kohë më parë nga shoqata zvicerane për të drejtat e fëmijëve Terre des Hommes. Aktualisht kjo shoqatë, bashkë me disa të tjera OJQ, bën pjesë në aleancën kundër trafikut të fëmijëve, e cila po angazhohet përkrah shtetit shqiptar për të shmangur trafikun e të miturve nga vendi ynë. Ata ende shihen, si mundësi e fitimeve marramendëse, duke u shfrytëzuar në Greqi veçanërisht gjatë Lojërave Olimpike nga trafikantët./tvklan.al