Rreth një muaj pas tragjedisë së Gjirokastrës ku nga shembja e një pallati pesëkatësh humbën jetën 3 persona, banorë të ndërtesës së rrëzuar kanë hyrë në grevë urie në shenjë proteste për vlerën e kompensimit të dëmit, që sipas tyre nuk është ajo që është premtuar nga qeveria.

Përfaqësues të dhjetë familjeve janë ngujuar në një garazh afër gërmadhave të ndërtesës së shembur, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë grevën deri në vendosjen e një çmimi sipas tyre të barabartë me vlerën e tregut.

“Na ka thënë që ka kaluar vetëm me 200 mijë lekë metri katror, prandaj ne duam çmimin e plotë, vleftën e plotë të pallatit”.

“Vendosëm për t’u futur në grevë për arsye për dëmshpërblimin e lekëve. Duam lekët nga qeveria urgjentisht sepse jemi jashtë”.

“U groposëm këtu, lekët marrin mundi i 15 vjetëve. Do i ngremë sa të marrim lekët tona. Le të vdesim dhe neve. Ne jemi të vdekur, të pakallur.”

Banorët e pallatit të shembur janë prej një muaji në pritje të procedurave që do të kryhen nga Enti Kombëtar i Banesave, ndërkohë që përfaqësues të prefekturës shprehen jashtë kamerës se nuk ka ende një vendim zyrtar për vlerën e kompensimit të apartamenteve të dëmtuara./tvklan.al