Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë edhe një herë mbështetjen e tyre për reformat dhe progresin e Shqipërisë në prag të anëtarësimit në NATO, dhe vlerësuan rolin e saj si faktor sigurie dhe qëndrueshmërie në Ballkan. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Jashtëm Lulzim Basha pas takimit të tij në Riga të Letonisë me zv/ndihmës sekretarin e shtetit Amerikan Stuart Jones.

Lulzim Basha: “Zoti Jones theksoi, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë progresin e jashtëzakonshëm që Shqipëria dhe Kroacia kanë bërë dhe se anëtarësimi në NATO i këtyre dy vendeve në samitin e Strasburg Kehlit brenda disa ditësh është treguesi i qartë i përparimit të këtyre vendeve dhe i suksesit të reformave që dy vendet tona kanë marrë, si në fushën e sigurisë ashtu dhe në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në tërësi në progresin e reformave në vendet tona.”

Në takimin e vendeve të Adriatikut, Baltikut, dhe Atlantikut, Shqipëria si kryetare e radhës e Kartës së Adriatikut përshëndeti pjesëmarrjen për herë të parë të Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi.  Kryediplomati Basha mori urimet e përzemërta të homologëve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO që do të bëhet realitet në samitin e Strasburg Kehlit në 3 dhe 4 prill.

Lulzim Basha: “Kemi prova të qarta tashmë, se politika e dyerve të hapura është e suksesshme. Një sukses që ka zgjeruar zonën e sigurisë, por edhe të demokracisë, lirisë respektit për të drejtat e njeriut në të gjithë Ballkanin Juglindor.

Kosova ishte në fokusin e bisedimeve të ministrave në këtë samit. Ata vlerësuan rolin stabilizues të KFOR-it, situatën aktuale në 10 vjetorin e bombardimeve të NATO-s dhe bënë thirrje për pjesëmarrjen e Kosovës në forumet ndërkombëtare.

Lulzim Basha: “Pasi realizuam si shumë pozitive arritjet e Kosovës gjatë këtij viti të parë të pavarësisë, theksuam nevojën për përparim të mëtejshëm veçanërisht për sa i përket aplikimit uniform të ligjit në gjithë territorin e Kosovës, ndërprerjes së mbështetjes nga Beogradi për strukturat paralele serbe në Kosovë. Diskutuam edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë forum dhe në tërësi për anëtarësimin e Kosovës qoftë në këtë nisëm, qoftë në nisma të tjera të cilat mishërojnë angazhimin e vendeve tona për integrimin euroatlantik dhe evropian të vendeve dhe të rajonit tonë.”

Në deklaratën e përbashkët pas takimit ministrat nënvizuan se hyrja e vendeve të Ballkanit në NATO dhe BE është një domosdoshmëri  për qëndrueshmërinë afatgjatë të rajonit dhe të gjithë kontinentit.  Në përfundim të takimit zyrtar, në cilësinë  Kryetarit të Radhës së Kartës së Adriatikut-5, Basha, informoi të pranishmit në lidhje me aktivitetet më të rëndësishme që Kryesia shqiptare e Kartës Adriatik-5, do të realizojë në muajt në vijim./tvklan.al