Vendet e Adriatikut dhe të Baltikut së bashku me Shtetet e Bashkuara, kanë theksuar mbështetjen e tyre të fuqishme për vendet e Ballkanit perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Të mbledhur në Riga të Letonisë, ministrat e Punëve të Jashtme të Kartës A5, të tre vendeve të Baltikut si dhe Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, diskutuan për çështjet që lidhen me sigurinë e rajonit perspektivat e zhvillimit dhe bashkëpunimit mes tyre në funksion të integrimit në strukturat euroatlantike.

I ftuar në këtë takim nga homologu i tij i letonez Maris Riektins ishte edhe ministri shqiptar Lulzim Basha. Kryediplomati Basha morri mbështetjen e vendeve pjesëmarrëse për integrimin e vendit tonë dhe urimet e tyre të përzemërta për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO që do të bëhet realitet në samitin e Strasburg-Kehlit në 3 dhe 4 prill.

Lulzim Basha: “Kemi prova të qarta tashmë, se politika e dyerve të hapura është e suksesshme. Një sukses që ka zgjeruar zonën e sigurisë por edhe të demokracisë, lirisë respektit për të drejtat e njeriut në të gjithë Ballkanin juglindor.”

Në deklaratën e përbashkët pas takimit ministrat nënvizuan se hyrja e vendeve të Ballkanit në këto dy organizata të rëndësishme është një domosdoshmëri  për qëndrueshmërinë afatgjatë të rajonit dhe të gjithë kontinentit. Diplomatët vlerësuan gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ekonomik politik dhe në fushën e mbrojtjes mes vendeve të grupimit të Adriatikut Baltikut dhe Atlantikut. /tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle