Ministri i jashtëm Lulzim Basha, u ka bërë thirrje autoriteteve maqedonase që të vënë para përgjithësisë autorë të incidentit të rëndë që shoqëruan zgjedhjet e parakohshme të 1 qershorit në këtë vend. Në përfundim të takimit me homologun kroat Gordan Jandrokovic, Basha tha në një deklaratë për mediat, se është e pa pranueshme humbja e jetëve njerëzore në këtë vend demokratik.

Lulzim Basha: “Ne i kemi bërë thirrje faktorëve politik, në veçanti faktorit politik shqiptarë në Maqedoni, që të distancohen nga aktet e dhunës dhe duke demonstruar maturi, pjekuri, gjakftohtësi dhe përgjegjësi politike të përfundojmë procesin në mënyrë sa më të qetë dhe të mos shoqërohet me ato incidente që pamë gjatë fushatës elektorale dhe ditën e zgjedhjeve. I bëjmë thirrje autoriteteve maqedonase të vënë para përgjegjësisë ligjore përgjegjësit. Ndërkohë që është shumë  e rëndësishme që autoritetet zgjedhore të shqyrtojnë çdo ankesë të çdo subjekti dhe në bazë të ligjit dhe parimeve të zgjedhjeve të lira demokratike të japin përgjigjen e duhur”.

Ndërkaq ministri i jashtëm kroat Jandrokovic deklaroi se stabiliteti i Maqedonisë është i rëndësishëm për të gjithë rajonin. Duke theksuar se Kroacia do të nxisë qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet për të nisur bisedimet me Greqinë me qëllim gjetjen e një kom promili për çështjen e emrit.

Dy ministrat ndanë të njëjtin mendim përsa i takon vazhdimit të reformave në procesin e integrimit euroatlantik në një kohë që Shqipëria dhe Kroacia kanë marrë ftesën e anëtarësimit në NATO.

Lulzim Basha: “Konsolidimi i demokracisë dhe i shtetit ligjor, lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformat ekonomike dhe zhvillimi i shpejtë i infrastrukturës dhe ekonomisë, janë disa nga të përbashkëtat midis 2 vendeve tona. Ne presim që së bashku me Kroacinë të kurorëzojmë së shpejti negociatat me NATO-n dhe të nënshkruajmë protokollet përkatëse të aderimit duke e konsideruar këtë një fitore të madhe për 2 vendet tona”.

Gordan Jandrokovic: “Ne kemi të njëjtat synime. Integrimin e vendeve tona në strukturat euroatlantike. Do të ketë procedura të lehtësuara për regjimin e vizave me Shqipërinë. Për këtë në 20 qershor do të zhvillohen bisedime dypaleshe, por ne jemi të detyruar të ndjekim procedurat që aplikon BE lidhur me regjimin e vizave”.

Gjatë qëndrimit në Tiranë kryediplomati kroat Jandrokovic u takua dhe me presidentin Bamir Topi dhe ministren e integrimit Majlinda Bregu./tvklan.al