Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, në një takim me kryetarin e Komunës së Mitrovicës dhe Ish-Kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepin, vlerësoi menaxhimin e situatës së tensionuar të sigurisë të krijuar në Mitrovicë gjatë ditëve të para të janarit nga autoritet e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i. Ministri Basha nënvizoj nevojën e funksionimit të plotë të EULEX-it dhe reagimin e menjëhershëm të tij për të shmangur çdo lloj dhune që do të kërcënonte situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Lulzim Basha: “Diskutuam sigurisht edhe për prioritetet në vazhdim siç janë ato të shtrirjes e shpalosjes së EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës dhe funksionalizimin e EULEX-it në mënyrë të plotë dhe bashkërendimin e punës me KFOR-in dhe me autoritet e Kosovës për t’i paraprirë çdo ngjarje të tillë dhe në këtë kuadër, një vëmendje të veçantë për ne ka dhe lufta kundër krimit të organizuar në mënyrë që këto komuna të cilat dalë nga dal po bëhen pjesë integrale e Kosovës pavarur, të bëhen gjithashtu pjesë integrale e shtetit ligjor dhe të mos mbeten komuna nën thundrën e krimit të organizuar të trafiqeve, të kontrabandës dhe në këtë kuadër një njësi të veçantë ka vendosja e funksionalizim sa më të shpejt e pikave doganore dhe siç thashë funksionalizimi i EULEX-it në të gjithë territorin”.

Në të njëjtën linjë është shprehur dhe Kreu i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi.

Bajram Rexhepi: “Ka qenë një ndihmë e madhe me qëndrimet në përgjithësi të qeverisë së Shqipërisë dhe ministrisë në veçanti, ndërsa në mënyrë specifike për Mitrovicën, më në fund do të fillojë funksionimi  i rendit dhe ligjit edhe në pjesën veriore që është parakusht për çfarëdo integrimit dhe komunitetit serb ose në proceset demokratike dhe institucionet demokratike.  Na shpresojmë se me shtrirjen e EULEX-it në tërë territorin do të konsolidohen dhe gradualisht do ta krynë punën e vet në vendosjen e rendit dhe ligjit, pra edhe në pikat doganore 1 dhe 31”.

Nga ana e tij ish-kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, tani kryetar i komunës veriore të Kosovës me situatën më të nxehtë me shtetin më të ri në rajon, vlerësoi mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë për Kosovën në konsolidimin e shtetit të pavarur e sovran./tvklan.al

Gazetare: Xhumelina Dervishi

Operator: Petrit Xhaferri

Montazh: Ergis Hasanbelli