Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Asnjë individ apo subjekt nuk ka të drejtë të vërë në dyshim dëshirat e sinqerta greke për rindërtimin e Ballkanit. Kështu ka deklaruar në përfundim të sesionit të 8-të qeveritar shqiptaro-grek, zëvendës ministri i Ekonomisë të Greqisë, Janis Zaferopulos. Së bashku me të në një konferencë për shtyp ministri i Financave Anastas Angjeli deklaroi vazhdimësinë e bashkëpunimit në të gjitha fushat, duke e konsideruar Greqinë partnere strategjike.

Ndërsa duke u ndalur tek kredia greke prej 5 miliard dhrahmi për strehim, ministri Angjeli tha, se tashmë është konfirmuar blerja për 164 apartamente banimi në rrethe të ndryshme të vendit, me 500 milion dhrahmi. Pala shqiptare në një kohë shumë të afërt do të publikojë listat me emrat e personave dhe adresat e apartamenteve të blera.

Gjithashtu shumë shpejt do të hapen procedurat për tenderimin e shesheve të ndërtimit për pjesën tjetër të kredisë, prej 4.5 miliard dhrahmi. Është deklaruar se pala greke do të marrë përsipër ndërtimin e pikës kufitare të Konispolit në bashkëpunim me qeverinë shqiptare./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego