Për t’u ardhur në ndihmë fermerëve të zonave përreth kryeqytetit, Bashkia e Tiranës ka dhuruar disa pajsije që ndihmojnë në rritjen e prodhimit të fermerëve. Në ceremoninë e zhvilluar në Tregun e ri Agroushqimor në Farkë, kryebashkiaku Erion Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të blejnë sa më shumë produkte vendase.

“Kam një ftesë për qytetarët që përgatiten të shkojnë me pushime: Mbusheni makinën me produkte që prodhohen këtu. Kur dikush blen perime dhe fruta të vendit, gjelin e Baldushkut, verën e Lundrës, domaten e Shëngjergjit, nuk ka blerë vetëm ushqim për barkun, por ka blerë edhe librat e shkollës për një gocë të vogël, që do të shkojë në shkollë në Shtator. Nëse doni të jeni patriotë sot, nuk ka nevojë të thoni “O sa mirë me qenë shqiptar”, se atë e thonë të gjithë. Është krenari kombëtare të shërbesh diçka, që është rritur nga duart, djersa, pasioni dhe dashuria e fermerëve tanë.”

Velial u ndal edhe tek investimet në kryeqytet, për të cilat tha se fokusi këtë muaj janë shkollat, kopshtet dhe çerdhet për të qenë gati në Shtator.

“Bashkia e Tiranës nuk do jetë vetëm tek sheshi “Skëndërbej”, nuk mund të jetë vetëm te zgjatimi i Lanës, Bulevardi i Ri, nuk mund të jetë vetëm tek eventet që ndodhin nëpër stadiumet tona. Duhet të bëjmë gati 400 shkolla, kopshte e çerdhe për në Shtator.”

Në projektet e Bashkisë së Tiranës është edhe hapja e disa shkollave të reja për nxënësit e kryeqytetit.

Tv Klan