Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ka nisur një tjetër aksion për bllokimin e 12 karburanteve mbi të cilët bashkia ka konstatuar probleme. Legjislacioni shqiptar inkurajon shkeljen e ligjit. Masat e marra për karburantet jashtë normave teknike janë qesharake.

Kryetari i bashkisë kërkon bashkëpunim me inspektoratin e kontrollit të naftës dhe gazit. Për Ramën inspektorati nuk kryen detyrën e tij, atë të sanksionimit të karburanteve, por iu lë detyra pikave jashtë normave teknike.

Edi Rama: “Sot inspektorati iu përgjigj kërkesës tonë për të qenë bashkë me policinë bashkiake, mirëpo erdhi dhe la detyra. Ndërkohë që ne kemi nevojë për një ekip teknik, i cili të bëjë mbylljen e pikave të karburantit. Kemi subjekte që janë të pajisur me autorizim, por që s’kanë leje mjedisore dhe nuk kanë as certifikatat e kalibrimit të depozitave. Thashë që pjesa më e madhe e rezervuarëve janë me rezervuarë jashtë normave të parashikuara, në urdhrin për miratimin e kushteve teknike dhe ky inspektorat, i cili lë detyra, nuk e ka ngritur asnjëherë zërin për këtë çështje”.

Për Ramën, mbyllja e pikave të tilla duhet të lërë jashtë edhe ndërhyrjet që bëhen për t’i mbajtur ende në punë subjektet e pa licencuara dhe që shkelin rregullat teknike.

Edi Rama: “T’ju them të gjithë poseduesve të këtyre pikave të karburantit, që të mos përdorin asnjë influencë politike, mos përdorin asnjë ganxhë dhe asnjë bërryl politik”.

Nga mbi 50 pika karburanti në kryeqytet, vetëm një autorizim i tillë është dhënë në këtë katërvjeçar nga bashkia./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti