Veliaj: Shkollat dhe Piramida, dy prioritetet e vitit të ardhshëm

Rindërtimi i shkollave të dëmtuara nga tërmeti dhe transformimi i Piramidës në një akademi inovacioni do të jenë dy nga prioritetet e Bashkisë Tiranë për vitin e ardhshëm. Kjo u bë e ditur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi që zhvilloi me të rinj të kryeqytetit, ku diskutoi mbi projektbuxhetin e vitit 2021.

“Përtej histerisë që ngrihet për çdo projekt, ‘Sami Frashëri’ është vetëm njëra nga 17 shkollat e reja që po bëjmë, bashkë me qeverinë, me projektin e rindërtimit të shkollave prej tërmetit. Ndërkohë, kishim një proces të nisur me 17 shkolla të tjera, në partneritet 50 me 50 në buxhet”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ndërkohë sa i përket Piramidës ai theksoi se mbështetja financiare do shtrihet në dy vite buxhetore.

“Është bërë rrethimi i Piramidës, aty do të fillojnë punimet për ta kthyer në një qendër të madhe rinore. Megjithatë, tek ‘Arena Kombëtare’ filluam kurset e Tumo-s për moshat 12-18 vjeç. Një pjesë e madhe e buxhetit tonë për këtë vit do të shkojë tek Piramida. Një pjesë do të financohet këtë vit, pjesa tjetër do të financohet në 2022-shin”, u shpreh Veliaj.

Në fokus të Bashkisë së Tiranës është edhe krijimi i një partneriteti me një akademi franceze për të ngritur një shkollë eksperimentale, që kultivon idetë e reja në fushën e teknologjisë.

Tv Klan