Përfundimi i punimeve në unazën e vogël do t’i hape udhë nisjes së projektit për qendrën e Tiranës. Këto dy projekte, në përfundim të tyre do të sjellin edhe  lehtësim të trafikut. 

Sipas drejtorit të transportit në bashki Enton Punavia, studimi i trafikut për kryeqytetin është bërë nga një studio gjermane, e cila ka detajuar skemën e trafikut për deri në vitin 2021.

Enton Punavia: “Pjesa e rrugës “Murat Toptani” është parashikuar që të jetë rrugë këmbësore dhe i gjithë trafiku do të akomodohet në pjesën tjetër të mbetur të ish unazës së vogël si dhe në pjesën bulevardi “Bajram Curri” dhe “Zhan D’ark”. Kjo është e parashikuar se si do të jetë i projektuar çdo kryqëzim me llojin e semaforëve, mënyrën e koordinimit të tyre për të përballuar flukset e trafikut. Me akomodimin e trafikut do t’i hapej rruga dhe qendrës këmbësore që është qendra e qytetit të Tiranës, e parashikuar në studimin francez.”

Aktualisht bashkia po punon në lotin e tretë të unazës së vogël, ndërsa pritet që të kryhet edhe procesi i shpronësimeve, për të gjitha godinat dhe objektet që do të prishen në zonën pranë INSIG-ut, për të vijuar punimet në këtë aks./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami