Si çdo sezon veror, Bashkia e Tiranës ka hapur kampe verore për fëmijët e familjeve në nevojë dhe te komunitetit rom e egjiptian. Edhe këtë vit, të vegjlit po argëtohen në njërin prej kampeve pranë Parkut te Liqenit Artificial, ku u vizitua nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

“Një pjesë e qytetit ka shkuar me pushime, por ka shumë prindër që janë ende në punë ose ka familje që nuk i kanë të gjitha mundësitë për t’i filluar pushimet që në korrik, prandaj në zemër të Tiranës, te parku më i bukur që kemi, ku temperatura është më e ulët, po organizojmë, si çdo vit, kampin veror për fëmijë. Më kanë bërë shumë përshtypje super talentet që pashë këtu. Jam i sigurt se do të bëheni të gjithë të famshëm, sa në balet, sa në sport, sa me leximet dhe gjërat e mençura që po mësojnë. Por, mbi të gjitha, këtu i mësojmë fëmijët të rrinë me njëri-tjetrin, të krijojnë shoqëri të reja.”

Aktivitetet në Kampin Veror janë të ndërthurura dhe të organizuara për t’i ndihmuar fëmijët të forcojnë edhe aftësitë e tyre sociale dhe krijuese.

“Këtu janë fëmijë të moshave të ndryshme, nga klasa dhe shkolla të ndryshme, ndaj këtu krijohen ca lidhje që ndoshta do t’i kenë për gjithë jetën. Qyteti bëhet më i mirë kur bashkëpunojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin. Unë jam shumë krenar për ju, por dua t’ju them se, siç keni dalë mirë në kamp, kur të fillojë shkolla duhet të dilni përsëri mirë me mësime. Pastaj, duke dalë mirë me mësime, do të vijmë përsëri në kamp. Kështu vazhdon cikli i jetës, derisa ju të bëheni ata që do e merrni qytetin në dorë dhe do e çoni akoma më lart me punët e bukura që do të bëni.”

Klan News