Turistët e zgjedhin qytetin e Elbasanit veçanërisht për historinë. Një nga destinacionet më të preferuara është bazilika e qytetit, objekti që është kontakti i parë  për ata që e pëlqejnë turizmin historik.

Bazilika paleokristiane e Elbasanit mbetet kontakti i parë historik dhe kulturor për vizitorët dhe turistët që vijnë në këtë qytet.

Bazilika ndodhet në qendër të qytetit në jug të “sheshit Gensher” pranë “Rrapit të Bezistanit”.  Në veri ndodhet porta e kalasë dhe “Kalaja e Skampis”.

Është pikërisht ky shesh ku qëndrojnë të gjithë guidat turistike që zbresin në Elbasan.

Bazilika u zbulua në vitin 2007 me iniciativë të Bashkisë Elbasan dhe që nga ajo kohë  ajo qëndron e konservuar pasi nevojitet një financim i konsiderueshëm për ta  ekspozuar tërësisht.

Megjithatë, në finalizim të aktiviteteve të trashëgimisë kulturore, Bashkia e Elbasanit, Zyra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, organizuan një aktivitet me pjesëmarrjen e qytetarëve, nxënësve të shkollave, vizitorëve dhe turistëve.

Në kuadër të këtij aktiviteti u zbulua dhe është e aksesueshme për vizitorët edhe mozaiku, i cili do të qëndrojë i hapur për një periudhë kohe, por që sërish do të mbulohet për ta ruajtur nga dëmtimet dhe agjentët atmosferikë.

Lidhur me aktivitetin dhe rëndësinë e bazilikës folën Albana Drenogllava specialiste e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, sektori Elbasan dhe Artur Guni, Drejtor i Përgjithshëm i Agjnsisë për Kulturën dhe Turizmin Bashkia e Elbasanit

Artur Guni, drejtor i Kulturës Elbasan: Mozaiku është akoma më i madh nga sa është, por për mundësitë që ka për ta mirëmbajtur është gjykuar që të hapet vetëm kjo pjesë. Gjithësi kjo është pjesa kryesore e mozaikut.

Albana Drenogllava, specialist e trashëgimisë kulturore: Turistë të huaj, nxënës të shkollave, turistë vendas dhe qytetarë të Elbasanit kanë mundësinë të përfitojnë dhe të shikojnë pikërisht këtë trashëgimi kulturore të vyer që në qendër të qytetit, jashtë mureve të kalasë.

Gjithashtu një grup turistësh ishin pjesë e këtij eventi dhe mësuan më shumë rreth këtij objekti.

“Kam vetëm pak minuta që kam ardhur këtu, jam nga Çikago dhe vij për herë të parë në Shqipëri, mendoj se do të më pëlqejnë vendet,” tha një turist.

Bashkë me Kalanë, Rrugën Egnatia, Muzeun Etnografik dhe mjaft objekte të tjera të trashëgimisë kulturore, Bazilika paleokristiane e Elbasanit është përfshirë në guidat turistike të agjencive nga mbarë bota.

Disa nga elementet e saj janë dyshemeja me mozaik, afresket në mure dhe mozaiku i “çiftit të përjetësisë” që i japin një vlerë të veçantë.

Gjithashtu aty janë zbuluar edhe kolona dhe kapitele karakteristike e ndërtimeve të qyteteve bregdetare.

Kupola e kishës së bazilikës  përmban mozaikun më të bukur që kemi në Shqipëri. Sepse ikonografia dhe temat janë shumë të pasura, ka shumë kafshë, panele të shkëlqyera, por mbi të gjitha një larmishmëri ngjyrash, shumë më tepër se në mozaikët e tjerë.

Sfidë mbetet zbulimi i plotë, ruajtja dhe ekspozimi i kësaj bazilike në zemër të Shqipërisë.

Klan News