Nuk kishte si të ndodhte ndryshe pas arrestimit të shumëkërkuarit për krime lufte Radovan Karadzic, BE i hap dritën jeshile Beogradit zyrtar. Sipas komisionerit për zgjerimin në BE Olli Rehn, Serbia mund të marrë statusin e vendit kandidat në bllok në gjysmën e vitit të ardhshëm.

Ai tha se arrestimi i Karadzic është një hap kyç i bashkëpunimit me gjykatën ndërkombëtare të Hagës. Ne duhet ta njohim këtë u shpreh Olli Rehn duke konfirmuar se ndihma ndaj Serbisë në rrugën e integrimit do të vazhdojë.

Lidhur me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes të Stabilizim-Asociimit, komisioneri për zgjerimin shpjegoi se gjithçka mbetet në dorë të vendeve anëtare të BE. Sipas tij vendimi do të merret pasi Karadzic të jetë dorëzuar në Hagë.

Sa më shpejt të ndodhë zbatimi i MSA-së aq më mirë sqaron Rehn. Duke shtuar se pas kësaj Serbia nis zbatimin e çështjeve teknike e cila është mjaft e rëndësishme për marrjen e statusit kandidat, gjë që parashikohet të ndodhë në gjysmën e parë të vitit 2009.

Gjasat janë që kjo procedurë të vonohet pasi ka nga ato skeptikë që mendojnë se bashkëpunimi i plotë mes Serbisë dhe Hagës do të realizohet vetëm me dorëzimin e ish-ushtarakut Ratko Mladic./tvklan.al

Gazetare: Justina Ukaliaj