Komisioni Europian ka përcaktuar kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për të arritur një marrëveshje për liberalizmin e vizave. Pas angazhimit që Tirana ndërmori në mars të këtij viti, gjatë vizitës së zv/presidentit të atëhershëm të Komisionit Evropian Franco Frattini, ajo duhet të përmbushë një sërë detyrimesh.

Lidhur me dokumentet e udhëtimit kërkohet qartë prodhimi e pajisja e qytetarëve shqiptare me pasaporta biometrike, garantimi i integritetit dhe sigurisë së procesit të shpërndarjes së tyre, programe trajnimi për zyrtarët dhe autoritet që do të merren me to si dhe raportimin në Interpol të pasaportave të humbura apo të vjedhura.

Përsa i përket çështjes së Administrimit të kufijve Komisioni kërkon përshtatjen dhe zbatimin e legjislacionit që rregullon lëvizjen e personave në kufijtë e jashtëm, masa buxhetore dhe administrative për sigurimin e një infrastrukturë efikase, pajisje dhe teknologji si dhe programe trajnimi me policinë kufitare, doganierët dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë. Brukseli kërkon ngritjen dhe zbatimin e mekanizmave për kontrollin e fluksit të emigracionit, mbajtjen e të dhënave si për emigracionin e ligjshëm ashtu dhe atë ilegal.

Rendi Publik dhe Siguria janë një tjetër fushë ku kërkohen ndërhyrje të shumta. Në dokument theksohet se Shqipëria duhet të zbatojë strategjinë e luftës kundër krimit të organizuar me një plan veprimi me  afate të përcaktuara kohore dhe mbështetjen e burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare. E njëjta gjë kërkohet edhe për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore apo kundër korrupsionit,  pastrimit të parave dhe konfiskimit të pasurive të kriminelëve apo dhe zbatimin e strategjisë kombëtare kundër trafikut të drogës. Në dokument nënvizohet nevoja e bashkëpunimit të strukturave gjyqësore dhe të prokurorisë me shtetet anëtare të BE dhe vendet e rajonit.

Kërkesat e detajuara të Komisionit Europian do të kërkojnë një angazhim serioz të strukturave të shtetit shqiptar. Tiranës do i duhet të ngrejë një sërë strukturash të reja dhe të japë për to mbështetjen e nevojshme financiare. Siç theksohet edhe në dokument, shpejtësia e lëvizjes drejt liberalizimit do të varet nga progresi në përmbushje të kushteve të vëna. I gjithë ky progresi do të vëzhgohet nga afër dhe Komisionit Europian do të raportojë rregullisht për ecurinë e tij. Në mbyllje të këtij procesit do të jetë Komisioni Europian që do të paraqesë propozimin e tij para këshillit të ministrave i cili do të kërkojë një votim më shumicë të kualifikuar të vendeve anëtare./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle