Kryetari i PD: Nuk ka asnjë provë për akuzat ndaj meje, ka lobuar Rama

Kryetari i PD Sali Berisha konfirmoi se qeveria e  Britanisë së  Madhe e ka shpallur të padëshirueshëm në Mbretërinë e Bashkuar për akuzat se ka lidhje me grupet kriminale si dhe për korrupsion. Akuza këto që u mohuan kategorikisht nga Berisha.

“Jam njoftuar me një letër se, Home Secretary ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes sime në Mbretërinë e Bashkuar me arsyetimin

1. Se ju keni lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, dhe

2. Për korrupsion dhe pasurimin tim, dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull përmendet ish këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç.

Në momentin e parë që qeveria e Mbretërinë e Bashkuar, ose çdo qeveri tjetër e huaj apo kushdo do të provojë – jo të gënjejë – një provë dhe fakt korrupsioni, unë do të marr çdo vendim ndaj vetes sime”.

Për vendimin e Britanisë së Madhe Berisha fajësoi kryeminstrin Edi Rama.

“Ky vendim është në vazhdën e shpifjeve për interesa të të njëjtit grup, që ka sponsorizuar edhe vendimin e Sekretarit Blinken, të bazuar në shpifje dhe lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe multimiliardierit George Soros. Unë kam qenë në dijeni të përpjekjeve të diplomatëve të Departamentit të Shtetit, që partnerët ndërkombëtarë t’i bashkangjiten vendimit të tyre”.

Ashtu si ndaj SHBA, kundërpërgjigjja e kryedemokratit ndaj vendimit të Britanisë do të jetë rruga ligjore.

“Do konsultohem me ekspertë për hapat ligjorë. Vendi më i përshtatshëm për të paditur për shpifje në raport me masën e dënimit është Mbretëria e Bashkuar. Britania e Madhe është anëtare e Këshillit të Europës, pra juridiksioni i Strasburgut është i plotë”.

Duke shprehur bindjen se për vendimin e Britanisë ka patur lobim kundër tij, Berisha tha se është i gatshëm që ndaj tij të kryhet çdo lloj hetimi për të gjetur qoftë edhe një provë për të vërtetuar akuzat ndaj tij.

Ndërkohë, pas konfirmimit nga Berisha për shpalljen i padëshirueshëm nga Britania e Madhe, ka reaguar kreu i qeverisë Rama. Ai e ka ironizuar duke postuar në rrjetet sociale kopertinën e librit të ish-diktatorit Enver Hoxha: ”Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, krahas së cilit shkruan “no comment”.

Klan News