Pas tre barazimesh radhazi, Partizani u rikthye të marr pikë të plota në kampionat. Fitore e shënuar ndaj Egnatias dhe që e katapulton në vendin e dytë të renditjes së Superligës shqiptare. Pavarësisht rezultatit, stafi i kuq mori sinjale negative nga gjendja fizike e futbollistëve.

Të paktën tre prej tyre shfaqen probleme, pasi u detyruan ta linin në mes ndeshjen duke u ulur në stol mes dhimbjesh. Mehmeti qëndroi në fushë për gjysmë ore lojë për t’i lënë më pas vendin Taipit.

Mesfushori pati një problem shëndetësor, ndërsa edhe Hadroj luajti me temperaturë dhe e kishte të pamundur të ishte deri në fund. Ky i fundit qëndroi në fushë për 79 minuta. Edhe Mba u largua i dëmtuar, me sulmuesin që luajti vetëm pjesën e parë të sfidës.

Situatë që duhet vlerësuar nga stafi mjekësor i klubit të kuq, me trajnerin Veselinoviç, i cili synon të mos ketë probleme afatgjatë me organikën. Takimi i radhës për Partizanin do të jetë ai në “Arenën e Demave” kundër Bylisit. Sfidë që zhvillohet me 5 Tetor dhe është e vlefshme në javën e 8-të të Superligës shqiptare.

Klan News