Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Refuzimi i vizës nga Ambasada Amerikane për sekretarin e përgjithshëm të PS Gramoz Ruçi është një njollë e zezë për socialistët dhe një apel që ndërkombëtarët i bëjnë mazhorancës shqiptare. Lideri i selisë blu Sali Berisha gjatë një konference për shtyp ka deklaruar, se në seancën e parë të parlamentit në fillim të shtatorit, opozita do të kërkojë që Ruçit t’i hiqet imuniteti.

Sali Berisha: “Partia Demokratike mendon, se baronët e drogës nuk mund të kenë vend në parlamentin shqiptar, ndaj dhe do të nisë procedurën, për heqjen e imunitetit dhe mandatit, të Don Gramozit, në seancën që në shtator. Unë mendoj, se procedura e parë zoti Ruçi dorëzon vetë mandatin, në rast se jo, do të mblidhet komisioni i rregullores dhe do të kërkojë heqjen e mandatit nga parlamenti”.

Nisur nga raporti i fundit i KLSH, për shpenzimet buxhetore të 6 mujorit të parë të këtij viti, Berisha i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme, që të mos flejë mbi dosje siç ka bërë deri tani sipas tij, por të hetoj mbi këtë krim të shëmtuar ekonomik.

Sali Berisha: “Për këto shpërdorime, theksojë edhe një herë, 335 milion që të gjitha, bileta të pamotivuara udhëtimesh, vjedhje në hotele dhe motele, pritje dhe përcjellje, telefonata pa fund tek 0900, etj. Dita të pa motivuara nuk ka asnjë, njeri të penalizuar”.

Kreu i opozitës gjatë konferencës për shtyp deklaroi, se në seancën e parë parlamentare, do t’i kërkojë kryetarit të parlamentit që të vendos me ligj transmetimin e plotë nga Televizioni Publik Shqiptar të seancës së dëshmive të komisionit të Helsinkit, ku u fol për situatën politike të vendit tonë, por që deri tani sipas Berishës, është ndaluar nga kryeministri Nano./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka