Kryeministri Berisha rikonfirmoi mbështetjen e Francës në rrugën drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian si dhe statusin e vendit kandidat. Në një konferencë për shtyp kreu i ekzekutivit, tha se gjatë vizitës së tij zyrtare në Francë me ftesë të presidentit Nikolas Sarkozi, ky i fundit e garantoi për më shume investime në vendin tonë.

Sali Berisha: “Presidenti do të më garantonte mua se Franca dhe se ai personalisht mbështesin plotësisht Shqipërinë në rrugën e integrimit të saj në BE dhe se mbështeste aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit. Ndërsa lidhur me investimet, unë mora siguri të plotë se ai do të inkurajojë fuqishëm biznesin francez që të investojë në Shqipëri”.

Kryeministri Berisha iu përgjigj dhe interesit të gazetareve në lidhje me një artikull të botuar në shtypin e shkuar, në të cilin citohet se shefi i qeverise e ka blerë këtë vizitë në Francë në këmbim të disa helikopterëve.

Sali Berisha: “Kjo është trillim i turpshëm i Edi Ramës, i cili nga ora e Bushit, kalon tek shpifje dhe trillime të tilla. Ky zotëria që çdo sukses të kundërshtarit të tij do ta përjetojë si ferr, si tmerr, si disfatë pavarësisht se ajo është dhe interesi më i mirë i vendit dhe kombit të tij. Ky përdor në mënyrë barbare mediat”.

Gjatë konferencës për shtyp kreu i ekzekutivit i pyetur nga gazetaret për negociatat e nisura mes eksperteve të PD-së dheas socialiste në lidhje me procesin e aplikimit për kartat e identitetit, e pohoi një gjë të tillë, por mohoi prerazi mundësinë e ndonjë krize.

Sali Berisha: “Kjo krizë ekziston vetëm në mendjen tuaj dhe të Edi Ramës. Nuk e dini që ajo është në mënyrë konstante në krizë. Në të cilin regjim në botë mund të ndodhte që kryetari i bashkisë apo kryetari i komitetit ekzekutiv dhe diktatura të mund të merrte vetë ose t’i jepte vëllaut të tij 19 nga 28 leje të dhëna. Vetëm një njeri që përjeton një krizë të tmerrshme morale mund t’i lejojë vetes të shpërfytyrohet në këtë mënyrë”.

Kreu i qeverise në konferencën për shtyp tha gjithashtu se ditën e diel do të komunikojë përpara të gjithë shqiptareve datën e aplikimit të Shqipërisë si vend kandidat për në BE./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro