Prej javësh tashmë, në zona të ndryshme të territorit të vendit, forcat e emergjencave janë në betejë me zjarret.

29 vatra u regjistruan në 24 orët e fundit, sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile, nga të cilat 14 vijojnë të jenë ende aktive.

Më shqetësuese situata është ne zonat malore, ne pyje dhe kullota, ku terreni dhe bimësia e thatë favorizojnë edhe përhapjen e flakëve.

Pas ndërhyrjes nga ajri me avionin rumun, situata është nën kontroll në Parkun e Prespës, por përpjekjet janë përqendruar nga ajri dh toka në malin e Tomorrit.

Këto janë edhe pamjet e ndërhyrjes së avionit rumun, i cili ka kryer disa hedhje uji për shuarjen e vatrës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes situata është nën monitorim të vazhdueshëm dhe pa rrezik për zonat e banuara.

Një tjetër situatë problematike është edhe ajo në  fshatin Çerilë të Mallakastrës. Intensiteti i flakëve ra, me ndërhyrjen e helikopterit të Forcave të Armatosura, por era e fortë ka vështirësuar shuarjen e plotë të zjarrit. Sipas shërbimit zjarrfikës të zonës katër banesa u përfshinë nga flakët. fatmirësisht nuk ka patur probleme për banorët.

Më herët kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako tha se me zjarret po luftohet edhe në dy zona të tjera problematike, në bjeshkët e Bolotekut dhe malin Tërnovës në Bulqizë. Ai u bëri thirrje banorëve për kujdes të shtuar

Haki Çako, kreu i AKMC: Vlerësojmë intensitetin e shtuar të punës së Policisë së Shtetit për identifikimin dhe dërgimin përpara përgjegjësisë të autorëve të zjarrvënieve. Kërkojmë nga organet e drejtësisë zbatimin korrekt të ligjit për të gjithë autorët e këtyre veprave penale. Shumica e zjarreve në zonat e banuara janë rezultat i papërgjegjshmërisë së fermerëve në ndezjen dhe administrimin e zjarreve përveç rasteve kriminale që janë objekt i hetimit nga organet e drejtësisë.

Temperaturat e larta të kësaj vere janë bërë shkak për ndezjen e shumë vatrave në disa zona të vendit, por fatmirësisht deri më tani është bërë e mundur që ato të shuhen në kohë pa cenuar jetën e njerëzve.

Klan News