Pagesat në euro, transfertat e të cilave nuk kanë tarifa shtesë, gjatë muajit qershor të këtij viti pësuan një tkurrje të lehtë. Banka e Shqipërisë raporton se gjatë muajit të shkuar u kryen rreth 26240 transferta në total duke shënuar një rënie me 12.5% në raport me muajin maj.

Sa i takon vlerave të pagesave të transferuara në monedhën euro nëpërmjet këtij sistemi në 6 muajt e parë të vitit u transferuan 2,35 miliardë euro. Ndërsa sipas historikut të të dhënave, përgjatë 6-mujorit të parë të vitit aktual, rezulton se në muajin Prill e Maj u realizua edhe numri më i lartë i transaksioneve.

Gjithashtu muaji qershor raportohet të ketë një tërheqje nga pagesat në euro në sistemin AIPS me rreth 21%.

Sipas ekspertëve, një situatë e tillë tek transaksionet për individë shihet si një lloj pasigurie që ka krijuar kursi i këmbimit me një lekë, të fuqizuar në raport me monedhën europiane. Kjo ka bërë që shumë pagesa apo planifikime për të ndërvepruar në monedhën euro të shtyhen në kohë për shkak të zhvlerësimit nën 100 lekë.

Nga ana tjetër edhe bizneset duket se po vuajnë pasojat e kursit të këmbimit, eksportet e të cilave kanë rënë me 17.3 për qind, si pasojë edhe zhvlerësimit të euros.

Sistemi AIPS përveçse ka sjellë lehtësimin e kryerjes së transaksioneve si dhe minimizimin e vonesave ai ka kursyer shqiptarët përsa i përket pagesave në euro, pasi për një transfertë prej 100 mijë eurosh bizneset paguajnë më pak se 50 euro komision. Ndërsa në rastin e pagesave më të vogla se 10 mijë euro komisioni nuk mund të jetë më i lartë se 6 euro.

Tv Klan