Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Biznesi dhe organet tatimore mbeten skeptikë përballë bankave, për të kryer pengesat apo transaksionet. Ligji uli për këtë vit në 500 mijë lekë të reja kufirin për pagesat kesh, ndërkohë që vitin e ardhshëm limiti do të bëhet 300 mijë lekë të reja.

“Problemi i madh në vendin tonë është kryerja e transaksioneve me lekë në dorë. Nëpërmjet këtij mekanizmi fshihet një pjesë e madhe e produktit, e shërbimeve që furnizohen. Përgjithësisht edhe tatimpaguesit kanë rezerva në drejtim të shpejtësisë, të kalimit të mjeteve monetare”.

Biznesi mbetet mosbesues ndaj bankave dhe nuk është i kënaqur me shpejtësinë e kryerjes së veprimeve.

“Biznesi ende nuk ka besim të plotë në sistemin bankar, në transfertat e shpejta në kohë dhe niveli i zbatimit të ligjit e frikëson atë që të besojnë në pagimet e mëvonshme, pra që të shesë dhe të presë që veprimi t’i kryhet në llogari bankare. Ai po s’pa para në dorë, përgjithësisht ende nuk ka besim”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë deklaroi disa kohë më parë në vazhdën e fushatës së anti-kesh, se jo vetëm biznesi i madh, por edhe biznesi i mesëm dhe i vogël duhet të paguajë transaksionet nëpërmjet bankave. Sipas organeve tatimore, vetëm biznesi i madh përdor bankat për pagesat e taksave./tvklan.al