Një natë bombardimesh të ashpra u zhvilluan në veri të Gazës, ku humbën jetën 43 palestinezë. Avionët luftarakë të ushtrisë izraelite goditën dy objekte të infrastrukturës ushtarake të Hamasit në Gazën veriore.

Një sulm izraelit në disa shtëpi në Al-Shati, një nga tetë kampet historike të refugjatëve të Rripit të Gazës, vrau 24 njerëz, ndërsa 18 palestinezë të tjerë u vranë në një sulm ndaj shtëpive në lagjen Al-Tuffah. Hamasi nuk komentoi pretendimin izraelit se kishte goditur infrastrukturën e tij ushtarake, por sulmet kishin në shënjestër popullatën civile.

Më shumë se tetë muaj pas luftës, avancimi i Izraelit tani është i përqendruar në dy zonat e fundit që forcat e tij nuk kishin marrë ende: Rafah në skajin jugor të Gazës dhe zonën përreth Deir al-Balah në qendër. Tanket izraelite thelluan inkursionin e tyre në zonat perëndimore dhe veriore të Rafahut ditët e fundit duke detyruar shumë familje të largohen drejt veriut.

Ndërkaq ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant, pak para se të nisej për në Uashington deklaroi se do të zhvillonte bisedime për fazën tjetër të luftës së Gazës dhe përshkallëzimin e armiqësive në kufirin me Libanin, ku luftimet me Hezbollahun kanë ngjallur frikën e një konflikti më të gjerë.

Gallant do të takohet me homologun e tij amerikan Lloyd Austin dhe sekretarin e shtetit Antony Blinken. Javën e kaluar, i dërguari i SHBA-së Amos Hochstein u dërgua në Izrael dhe Liban për të ulur tensionet pas luftimeve ndërkufitare që shkaktuan një përshkallëzim të retorikës në të dy anët e kufirit.

Nga ana tjetër mijëra luftëtarë nga grupet e mbështetura nga Irani në Lindjen e Mesme kanë paralajmëruar se do të shkojnë në Liban për t’u bashkuar me grupin militant Hezbollah në betejën e tij me Izraelin nëse konflikti përshkallëzohet. Situata në veri u përkeqësua këtë muaj pasi një sulm ajror izraelit vrau një komandant të lartë ushtarak të Hezbollahut në Libanin jugor. Hezbollahu u kundërpërgjigj duke gjuajtur qindra raketa dhe dronë në veri të Izraelit.

Klan News