Varreza e Potoçarit në Bosnjë, ku përvjetori i 29 i masakrës së Srebrenicës u shënua me varrosjen e 14 viktimave të tjera. 29 vjet më parë serbët sulmuan Srebrenicën dhe kryen gjenocidin e parë në Europë pas Holokaustit.

Më i riu ndër 14 viktimat e varrosura ishte një djalë 17-vjeçar, më i madhi 68. Eshtrat e tyre u varrosën pas ceremonisë përkujtimore në varrezat të Srebrenicës. Përvjetori vjen dy muaj pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 11 Korrikun një ditë ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës.

Masakra e rreth 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në vitin 1995 ndodhi pasi zona e sigurt e OKB-së e Srebrenicës u pushtua nga forcat serbe të Bosnjës gjatë luftërave ballkanike që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë.

Gati 30 vjet pas përfundimit të luftës së viteve 1992-95, serbët e Bosnjës dhe Serbisë, thonë se vrasjet nuk mund të quhen gjenocid.

Shpërbërja e ish-Jugosllavisë u hapi rrugën pasioneve nacionaliste dhe ambicieve territoriale të serbëve të Bosnjës, duke u kthyer kundër dy grupeve tjera kryesore etnike, kroatëve dhe boshnjakëve myslimanë.

Klan News