Henerigert Mitri, ish-drejtori i Policisë së Lezhës u la në qeli pa afat nga Gjykata e Posaçme, e cila pranoi masën e dhënë për të në mungesë.

Mitri nuk foli para gjyqtares mbi dyshimet e ngritura nga SPAK se është përfshirë në korrupsion dhe kultivim kanabisi duke bashkëpunuar me grupet kriminale.

Nga ana tjetër avokati Ardian Leka, kërkoi që ish-drejtori i Policisë të hetohet në një masë sigurimi më të butë, por kjo kërkesë u refuzua.

SPAK thotë se nga komunikimet e zbardhura nga aplikacioni Sky dhe verifikimet e tjera mbështetëse, ka rezultuar se Henerigert Mitri gjatë vitit 2020, në disa raste, ka komunikime që tregojnë bashkëpunimin e tij në kultivimin e kanabisit dhe dekonspirimin e operacioneve kundër veprimtarisë në zonë.

Henerigert Mitri u vetëdorëzua në policinë e Tiranës pasi qëndroi në arrati prej muajt maj, kohë kur u lëshua masa e sigurisë në mungesë.

Klan News