Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Marrin start debatet politike për procesin zgjedhor. Sot në byronë parlamentare kanë debatuar për kodin e ri zgjedhor aq të kontestuar nga partitë e vogla politike, pikërisht protagonistët e tij, demokratët e socialistët. Nënkryetarja Topalli pretendoi se duhet bërë rikompozimi i të gjithë KQZ e jo vetëm zëvendësimi i njërit prej tre anëtarëve të cilëve u ka mbaruar mandati. Sipas Topalli, kodi i ri zgjedhor konsiston:

Jozefina Topalli:- “Procedurat në këtë nen për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ, ndryshojnë nga procedurat që ishin përcaktuar në ligjin e mëparshëm. Në këtë kuptim një ligj ndryshe, kritere ndryshe procedura ndryshe, ose do fillojmë të respektojmë këtë ligj dhe në këtë aspekt kërkohet rikompozimi tërësor i KQZ, ose të themi, kemi punuar kot, kemi aprovuar një ligj, por ne atë ligj nuk e njohim”.

Por nuk është parë kështu zbatimi i kodit të ri zgjedhor nga kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, i cili propozimin e Topallit e komentoi:

Gramoz Ruçi:- “Para se të vini këtu, uluni me ata specialistët tuaj dhe ata e dinë mirë ç’thotë Kushtetuta neni i parë, ç’thotë dhe i dyti e me radhë, ç’thotë dhe kodi që nuk ka prapaveprim, ç’thotë dhe Kushtetuta që çdo ligj nuk është mbi Kushtetutën, prandaj uluni bisedoni me ta dhe do të merri përgjigjet”.

Ndërsa përfaqësuesit e partive të vogla në byronë parlamentare kanë përfituar nga rasti të shprehen dhe njëherë kundër kodit të ri zgjedhor, duke kërkuar anulimin e tij, ose të paktën shtimin e disa amendamenteve. Kompensimi i të përndjekurve politikë, si dhe kthimi i tokës tek pronari i ligjshëm, kanë qenë diskutimet e tjera të byrosë së fundit parlamentare për këtë sesion./tvklan.al