Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Byroja parlamentare miratoi me kërkesë të opozitës që seanca e pasdites të transmetohet drejtpërdrejt nga Televizioni Publik Shqiptar, si dhe votimi i fshehtë për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollë Lesi të kryhet me fletë në kuti votimi dhe jo me elektronikë. Kryetari i Kuvendit Pëllumbi nuk pranoi propozimet e krerëve të partive të djathta as për anulimin e diskutimeve për çështjen Lesi dhe as atë për shtyrjen e votimit.

Jozefina Topalli: “Ne si grup kemi një të drejtë, që në qoftë se nuk mund ta heqim fare nga kalendari, nga rendi i ditës çështjen e imunitetit, kemi të drejtë që ta shtyjmë që t’i japim palës tjetër kohë për të reflektu dhe një herë, sepse ka një sensibilitet jashtëzakonisht të madh ndërkombëtar dhe të brendshëm në raport me prekjen, presionin, kërcënimin, apo më keq heqjen e imunitetit të gazetarëve.”

Fatmir Mediu: “Nuk duhet të hequr imuniteti i deputetit, pavarësisht nga arsyet që janë parashtruar, të cilat një palë mund t’i gjykojë të qenësishme, një palë jo. Unë mendoj që do të ishte mirë, që si byro e Kuvendit të arrinim një dakordësi që të mos diskutohet heqja e imunitetit të zotit Lesi në Kuvendin e Shqipërisë, do të ishte në të mirë të mbarëvajtjes së punimeve të Kuvendit, në raport edhe me opinionin, por edhe në raportet e tija.”

Servet Pëllumbi: “Nuk mund t’i jepet përgjigje kolegjit të Gjykatës së Lartë, përveçse nëpërmjet votimit në Parlament.”

Krerët e grupeve parlamentare ranë dakord që në seancën e të enjtes të miratohej dekreti i presidentit për emërimin e zotit Sokrat Sinaj, në krye të komitetit për kthimin dhe kompensimin pronave./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj