Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Është çelur në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve ekspozita personale “Retrospektiv”, e piktorit të njohur shqiptar me banim në Itali Ibrahim Kodra. Në çeljen e saj kanë marrë pjesë personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, politikanë, artistë, intelektualë, etj.

Maestro Kodra, siç njihet dhe nderohet në rrethet artistike të Milanos, përshëndeti të pranishmit në çelje të ekspozitës. Edhe Ministrja e Kulturës Arta Dade e ka cilësuar si një eveniment të veçantë në jetën kulturore shqiptare çeljen e kësaj ekspozite.

Arta Dade:- “Hapja e ekspozitës së mjeshtrit dhe shqiptarit të madh Ibrahim Kodra, po sjell më në fund në vitrinën e artit shqiptar një ndër përfaqësuesit e tij më të spikatur të shekullit XX dhe të këtij fillim shekulli të ri, që me artin e tij të madh diti ta thotë fjalën e tij me evolucionin e gjatë e të komplikuar të pikturës moderne europiane, të pas luftës së dytë botërore”.

Ekspozita “Retrospektiv” përmban 73 punime të piktorit, nga të cilat tre janë vepra të ruajtura në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, punë të viteve 1938-1942. 17 vepra i përkasin koleksionit të Renzo Calzavaros dhe 20 vepra janë pjesë e koleksionit të studios së Ibrahim Kodrës.

Në pjesën e dytë të sallës janë ekspozuar kopjet e 12 muzikantëve që ndodhen në Teatro Massimo të Palermos, të realizuara nga vetë Kodra, si dhe 33 grafika të tij. Kubizmi, një nga veçoritë e theksuara të pikturës së Kodrës është ndjerë dhe në këtë ekspozitë të artistit.

Gjatë karrierës së tij artistike piktori Kodra është shoqëruar kurdoherë nga vëmendja e kritikës, e cila jo vetëm që nuk e ka anashkaluar veprën e tij, por ka theksuar origjinën e tij shqiptare. Pas çeljes së ekspozitës, Kodra ka pasur një takim privat edhe me kryeministrin Fatos Nano./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora