Për çdokënd që do të punojë në shtet, panairi i administratës publike, i hapur në Tiranë ofron një mundësi. Për këtë vit ka 1 183 vende të lira pune dhe deri më tani janë shpallur 500 pozicione, nisur nga specialist deri ne nivele drejtuese.

“Të gjitha institucionet, ministritë kanë nevoja për rekrutim, me profile nga të gjitha fakultetet, edhe jurist ka shumë, edhe inxhinierë, sidomos elektronikë, ndërtimi, të mjedisit, gjeologë, pra vendet janë të larmishme”, thotë Enkela Dudushi, drejtoreshë e Departamentit të Administratës Publike.

Në nisje të këtij panairi, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirderni, vuri theksin tek puna që do bëhet për motivimin e punonjësve.

“Është i domosdoshëm vlerësimi për ato që punojnë në administratë, ato që janë asete jo vetëm të ndihen të vlerësuar por edhe të shkojnë të motivuar në punë”, tha Pirderni.

Për të rinjtë që kanë minimalisht një diplomë Bachelor, së shpejti pritet të hapen edhe aplikimet për praktikë pune në shtet.

“Për të gjithë qytetarët e interesuari për vendet e lira të punës, projektet dhe shërbimet që ofrojnë administrate publike, panairi do të qëndrojë i hapur deri më 29 Maj”, raporton gazetarja Dorina Halili.

Tv Klan