Shkaqet mbi vdekjen e Kosta Trebickës do të zbardhen vetëm pasi në duart e prokurorëve do të mbërrijnë dy raportet e akt-ekspertizës së automjetit me të cilin ka udhëtuar i ndjeri ditën e vdekjes.

Një raport i ekspertit amerikan Kevin Teter dhe një raport i dy ekspertëve shqiptar, do të vihen në dispozicion të dy prokurorëve që po hetojnë shkaqet e vdekjes së Kosta Trebickës në fshatin Lekas në Voskopojë.

Burime zyrtare nga prokuroria pohojnë se do të shikohet përputhshmëria e dy raporteve të kryera nga eksperti amerikan dhe nga ekspertët shqiptarë dhe nëse rezulton se ato janë të kundërta organi i akuzës do të rikërkojë një tjetër akt-ekspertimi të automjetit.

Kevin Teter pritet që brenda pak ditësh të dorëzojë pranë prokurorëve raportin mbi akt-ekspertimin e automjetit, pas kërkesës së prokurores së përgjithshme drejtuar ambasadës amerikane. Ky raport do të vijë në rrugë postare dhe nëpërmjet ambasadës amerikane do të vihet në dispozicion të grupit hetimor.

Kevin Teter u përzgjodh për të dhënë një konkluzion në ekzaminimin e ngjarjes së vdekjes së shtetasit Kosta Trebicka. Raporti i tij është deklaruar zyrtarisht i mbyllur në Virginia të SHBA, ku janë kryer dhe matjet e fundit mbi ekzaminimin e automjetit dhe ekspertizën autoteknike të tij./tvklan.alGazetare: Anduena Llabani