Në harkun kohor të rreth 4 ditëve kanë marrë ndihmë mjekësore më shumë se 100 persona me simptoma helmimi në Bulqizë, të cilët janë rikthyer në shtëpitë e tyre pas mjekimit.

Mjeku Shahin Kraja e hedh poshtë idenë që helmimi mund të jetë shkaktuar nga uji i pijshëm pasi thotë se rastet që vijnë për të marrë mjekim janë nga fshatra të ndyshëm të Bulqizës.

Mjeku Shahin Kaja: Sot kanë filluar prapë rastet me të vjella, me temperatura, por kjo nuk lidhet me ujin e pijshëm. Ky është faktor viral pasi rastet janë sporadike, jo të centalizuara në një vend. Nuk kanë lidhje me ujin, përjashtohet. Shkaku deri më tani, një shkak viral sepse nuk ka pasur raste festive që të kenë qenë të grupuar, janë raste sporadike të veçanta. Deri më tani që po flasim, është rasti i nëntë. Nuk dihet se nga ka ardhur, vetëm nga uji jo.

Për mediat ka folur dhe prefekti Nexhbedin Shehu, i cili ka thënë se rasti është nën hetim të autoriteteve.

Prefekti Nexhbedin Shehu: Paraprakisht, analizat që ka bërë shërbimi parësor, analizat e ujit dalin të mira meqenëse mendimi parë na shkon tek uji. Ka gjeografi jashtë Bulqizës, ka edhe në fshatrat përreth, ka Shupenza, ka Gjorica, ka Fushë-Bulqiza. Është në hetim dhe po presim rezultatin e analizave. Mjekët e përjashtojnë deri diku meqenëse ka edhe gjeografi të zgjeruar.

Pritet të dalin rezultatet e analizave që të përcaktohet shkaku i saktë se nga vjen helmimi, ndërsa vijon situata problematike me pacientët që shfaqen me shenja helmimi në spitalin e Bulqizës./tvklan.al