Ditët e fundit të merkatos, pritet të jenë të nxehta për futbollistin e Shqipërisë, Armando Broja. Sulmuesi kuqezi duhet të gjejë një ekip të ri, pasi Chelsea, klub që zotëron kartonin, nuk e ka në plane për sezonin e ri.

Madje, drejtuesit me kërkesë të stafit teknik, kanë larguar Brojën nga ekipi i parë, për ta dërguar të stërvitet me të rinjtë, deri sa të gjejë një skuadër të re.

Nga kjo situatë kërkon të përfitojë Milani. Sipas raportimeve që vijnë nga Italia, klubi kuqezi ka rikthyer interesimin për shqiptarin.

Pas Moratës, “djalli” është në kërkim të një tjetër sulmuesi dhe me Tammy Abraham që nuk po mbyllet si marrëveshje, drejtuesit kanë nisur të shikojnë për alternativa të tjera.

Broja ka qenë edhe në të kaluarën një dëshirë e Milanit, por kërkesat e larta nga Chelsea, kanë bërë që të stepen.

Me situatën e krijuar te londinezët, te nënkampionët e Italisë duan të përfitojnë dhe do të tentojnë të mbyllin një marrëveshje për Brojën, që te kuqezinjtë do të ndante repartin e avancuar me një kampion Europe, si Alvaro Morata. /tvklan.al